10 hapa të thjeshtë për të zgjedhur tavolinën ideale të kafes

Tavolinat e kafesë u shërben disa qëllimeve; nga plotësimi i pamjes deri te magazinimi dhe paraqitja. Ato janë më se të nevojshme në një hapësirë. Çështja është se cili stil do të përshtatej në dhomën tuaj. A duhet të shkoni me të drunjtën me këmbë të shkurtra, me të metaltën me sipërfaqe të qelqtë; a duhet të jetë e rrumbullakët, katrore apo drejtkëndëshe? Opsionet janë të pafundme dhe nganjëherë mund t’ju ngatërrojnë. Dhjetë instruksionet në vijim do t’ju ndihmojnë të hiqni hutimin e vendimeve dhe t’ju orientojnë drejt tavolinës së përsosur të kafesë.

 

Buxheti

 

Çmimi për një tavolinë kafeje mund të sillet nga ultra-e-shtrenjtë deri goxha-e-lirë, kështu që, para se të nisni shopingun, duhet të dini sa të harxhoni në të. Buxheti juaj i përgjithshëm duhet të ndahet në fushat si: shtojcat, ndriçimi dhe orenditë. Vija e orendive përfshin sofën, tavolinat anësore, karriget dhe tavolinën e kafesë, me një hise të madhe të caktuar për pjesët më të mëdha. Lajmi i mirë është se ju mund të kurseni paksa, nëse shihni diçka që ju pëlqen, për sa kohë që kjo nuk shkon në dëm të kualitetit të sofës apo karrigeve.

 

Forma

 

Ndërsa parashtroni planin për dhomën tuaj të ditës, mendoni për formën më të mirë për hapësirën. A keni fëmijë? A është dhoma e madhe, apo e vogël dhe e ngushtë? Një tavolinë kafeje e rrumbullakët apo ovale është ideale nëse keni fëmijë. Skajet e kthyera do të thotë që qoshja e mprehtë nuk lëndon askënd, nëse dikush bie në të. Forma drejtkëndëshe dhe hapësira 75 centimetërshe mes konzolës së televizorit dhe tavolinës së kafesë do t’ju japë hapësirën e nevojshme për të ecur mes dy objekteve. Tavolina e rrumbullakët ofron pak më shumë hapësirë për të kaluar, meqë ajo shkon duke u kthyer nga konzola e televizorit.

 

Madhësia

 

Sikur te forma, edhe këtu do t’ju duhet të caktoni madhësinë e duhur. Lartësia e një tavoline të kafesë është e rëndësishme. Ajo s’duhet të jetë më e ulët se 2–5 centimetra nga ulësja e kauçit tuaj. Lartësia standarde për një tavolinë është 40-45 centimetra dhe shkon mirë me një kauç të madhësisë tipike. Një sofë më e lartë kërkon një tavolinë më të lartë, një me lartësi prej 50-53 centimetra. Tavolina më e lartë, po ashtu, do të jetë më e përshtatshme, nëse gostitni shumë, meqë do të jetë më e lehtë për mysafirin të vendosë pjatën apo gotën në të.

 

Funksionaliteti

 

Një faktor tjetër më rëndësi është të dini se cili do të jetë përdorimi kryesor i tavolinës. A do të jetë tavolina më shumë dekorative, apo për të magazinuar? Çfarë hapësire do të jetë e mjaftueshme? Tavolinat mund të vijnë me rafte apo me sirtar (fiokë) për të mbajtur gjtihçka, nga lodrat e fëmijëve deri te grumbulli i gazetave që një ditë do t’i lexoni. Pavarësisht nëse ka nevojë për këtë hapësirë, ende ka gjasa që do të doni të vendosni një pije apo një pjatë pa rrezikuar që ajo të rrëzohet. Zgjedhni një pjesë që do të mbajë pijet dhe pjatën me lehtësi. Nëse dekori është më parësor, ju mund të fokusoheni në një me vijat dhe pamjen e materialit që ju pëlqeni.

 

Materiali

 

Kur kemi të bëjmë me materialet, tavolinat e kafesë mund të vijnë në variacione të shumta. Kemi tavolinat industriale me metal. Materialet si qelqi, të kombinuara ose me tunxh, ose me hekur ofrojnë një pamje më të sofistikuar. Qoftë kur është ah, panjë, qershi apo arrë, druri lë përshtypje të veçantë. Ahu ose panja i përkasin anës më rastësore, kurse arra dhe qershia kanë një pamje më formale. Merrni në konsideratë plastikën sintetike; ajo do ta bëjë tavolinën tuaj të duket sikur pluskon në dhomë dhe ajo ofron një pamje

më moderne.

 

Stili

 

Formale, jo formale, moderne apo me kualitet të lartë; këto janë të gjitha stilet që duhet konsideruar,

kur të blini tavolinën tuaj të kafesë. Nëse parapëlqeni një pamje bashkëkohore, zgjedhni një tavolinë të metaltë e të lëmuar, me sipërfaqe të qelqtë. Nëse më shumë ju përshtatet ambienti natyror, një tavolinë fshatare e ahut do të ishte e përsosur. Zgjedhni një tavolinë të rrumbullakët, me këmbë druri, për një ndjenjë romantike. Ka shumë stile për të zgjedhur, vetëm përdorni skemën dekorative të dhomës suaj si udhëzues.

 

 

Përshtatja

 

Çdo copë në dhomën tuaj duhet të përshtatet. Për shembull, një kauç i rëndë, i mbingarkuar, i çiftëzuar

me një tavolinë kafeje elegante nga gjërat e vjetra të gjyshes nuk do të ishte e përshtatshme. Në vend të kësaj, çiftëzoni kauçin e madh me një tavolinë të madhe. Dhe më së miri është të çiftëzoni tavolinën elegante me një sofë dyshe delikate. Përshtatja thjesht ka të bëjë me përshtatjen e madhësisë me peshën pamore të objekteve në dhomë.

 

Alternativat

 

Nganjëherë të menduarit jashtë kuadrit ju lejon të gjeni tavolinën e përsosur të kafesë e cila, ndoshta, s’është hiç tavolinë. Ndonjë sënduk, ndonjë arkë pishe, apo

ndonjë dyshek për këmbë (ottoman) janë alternativa të mrekullueshme për një tavolinë tipike të kafesë. Secili opsion ofron pamjen e vet eklektike. Dysheku për këmbë, për shembull, mund të jetë nga lëkura apo ndonjë stof i mirë, çka do t’i shtonte edhe më shumë interesit vizual dhe ngjyrimit të dhomës. Kjo, po ashtu, mund të shërbejë për t’i vendosur këmbët pa u merakosur se do të dëmtoni sipërfaqen. Këto kryejnë punë në dhomat ku ka komunikacion të shumtë dhe që përdoren shumë. Nëse keni fat, ju mund të gjeni dhe ndonjë cung që do të krijonte një copë interesante për muhabet.

 

Grupimet e vogla

 

Kush po thotë se ju duhet vetëm një tavolinë? Provoni një koleksion tavolinash. Për një pamje më interesante, vendosni dy komplete tavolinash identike pranë njëra-tjetrës dhe nxirrni secilën tavolinë për të zgjeruar sipërfaqen ndërsa i shkallëzoni skajet e tavolinave. Nëse hapësira juaj është e gjerë dhe ju s’keni gjetur tavolinën e dëshiruar, vendosni dy tavolina pranë njëra-tjetrës dhe formoni një tavolinë më të gjerë. Një tjetër opsion është të organizoni disa stole kopshti dhe t’i përdorni ato si një zgjedhje për tavolinë sofe. Këto vijnë me variacione ngjyrash dhe modelesh që do të do ishin të përsosura në një dhomë dite të ndriçuar me dritë dielli.

 

Shopingu

 

Tash pasi vendosët për buxhetin, për stilin, për funksionalitetin, për madhësinë dhe materialin është koha për blerje. Mos harroni të sillni masat e dhomës, hapësirën e përdorshme përpara sofës, lartësinë e sofës dhe imazhet e orendive tjera. Kjo do t’ju ndihmojë të zgjedhni diçka që përshtatet në stil dhe që përsos dhomën tuaj.