A duhet kultura e kafenesë të mbrohet nga qeveria?

Para se të ekzistonte interneti si një vend për të shikuar foto të lezetshme të jetëve të njerëzve tjerë, për të shkëmbyer llafe, dhe, nganjëherë, për të diskutuar thellësisht ide të mëdha, ishin kafenetë. Shumë dijetarë e shohin kafenenë si një simbol të sferës publikes, sidomos në historinë evropiane: politikanë, shkrimtarë, dhe persona të modës takoheshin për muhabet, për t’u kënaqur me një pije, dhe nganjëherë, bile, dhe për të nisur ndonjë revolucion.

 

Por, kultura e kafenesë mund të jetë e kërcënuar. Në vitin 1950, Vjena pësoi një periudhë të errët të quajtur kaffeehaussterben apo vdekja e kafenesë.  Fatmirësisht për intelektualët dhe të varurit nga kafeina, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ekonomi, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) ka çelur rastin. UNESCO e krijoi këtë emërtim në vitin 2003 në përpjekje për të ruajtur pjesë të rëndësishme të kulturës që nuk janë ndërtesa apo male. Sipas websajtit të UNESCO-s, kafeneja vjeneze është vendi ku “konsumohet hapësira dhe koha, por vetëm kafja gjendet në faturë”; më së paku çka mund të thuhet është se kjo duhet të jetë një shënim metafizikisht interesant në listë.

 

Tash,  Turqia dhe Argjentina po përpiqen të ndjekin shembullin e Austrisë duke aplikuar për bekimet kulturore të UNESCO-s lidhur me kafenetë e tyre. Aplikimi i Turqisë përshkroi një kulturë kafeneje që ka kultivuar muhabet dhe, kur kjo dështonte, periudha të tavllës mes shkrimtarëve, poetëve e artistëve që nga shekulli 16. Arsyeja përse kjo ka nevojë të mbishkruhet si pjesë e trashëgimisë së paprekshme kulturore – argumentojnë ata – është se kjo do t’ua rikujtonte njerëzve “traditën e përgatitjes së kafesë, duke siguruar një përcjellje të standardeve të caktuara të kësaj, për të kuptuar domethënien e saktë dhe rëndësinë e traditës së kafesë turke si një mënyrë socializimi dhe bashkëveprimi shoqëror ... Prandaj, rëndësia e kafesë, si një pije popullore në Turqi, do të çmohej shumë.”

 

Sipas UNESCO-s, kafeneja vjeneze është “ku konsumohen hapësira dhe koha, por vetëm kafja gjendet në faturë.”

 

Nëse jeni kureshtar, bërja e kafesë tradicionale turke është goxha e komplikuar. Me sa duket “pjekja e njëjtë e kokrrave të kafesë është vendimtare.” Pas pjekjes, ato bluhen imët në një mortajë, që duket si një dybek gjalpi për kokrra kafeje. Përbërësit duhet të përgatiten ngadalë për të fituar shkumën si duhet. Kafja turke shpesh shërbehet me një gotë ujë dhe llokum.

 

Ruajtja e këtij procesi – përmendet në aplikim – do të ndihmonte në zmbrapsjen e pretenduesve: “Kërcënimi ndaj kafesë instant turke do të parandalohej.”

 

Aplikimi i Argjentinës për të njohur kafenetë në lagjet e Buenos Airesit për “ritualet, praktikat dhe marrëdhëniet shoqërore” të tyre do të konsiderohet në vitin 2014.

 

Këto përpjekje për të ruajtur kulturën e kafenesë janë interesante për disa arsye. Së pari, Turqia dhe Argjentina po aplikojnë për t’iu bashkëngjitur një liste ndërkombëtare të “trashëgimisë përfaqësuese kulturore të paprekshme të njerëzimit”, e cila është e veçuar nga lista e gjërave që “kanë nevojë për mbrojtje urgjente.” Lista përfaqësuese është përpiluar “të sigurojë pamje më të mirë të trashëgimisë kulturore të paprekshme dhe vetëdije për rëndësinë e saj, dhe për të inkurajuar dialog që respekton shumëllojshmërinë kulturore”.

 

Ajo çfarë Turqia dhe Argjentina po përpiqen të bëjnë, në fakt, është t’ia tërheqin vëmendjen pjesës tjetër të botës për kafenetë e tyre historike, çka dhe mund të jetë efikase – fundja, kafenetë vjeneze kanë fituar shumë vëmendje që prej se u përfshinë nga UNESCO.

 

Por, edhe më interesante është ideja se sfera publike – çka këto aplikacione pohojnë të jenë kafenetë – duhet të ruhet nga UNESCO. T’i kujtosh njerëzit se kafenetë kanë qenë vend i debateve të mëdha dhe i sajimit të lidhjeve të komunitetit  duket si një mënyrë e paefektshme për të garantuar se njerëzit do të vazhdojnë të shkojnë aty për të përjetuar këto muhabete madhështore. Në njëfarë mënyre, sfera publike duket të jetë goxha anarkike: shumicën e rasteve, njerëzit kanë kontroll për atë se ku do të bisedojnë për idetë, dhe sa më shumë që njerëzit shkojnë në një vend të caktuar për të bërë llaf për gjërat, aq më shumë ka të ngjarë që njerëzit tjerë do të shkojnë në atë vend. Duket të ketë pak gjasa që shtetet do të kërkonin një entitet ndërkombëtar, ndërqeveritar – Kombet e Bashkuara – për të njohur historinë si pjesë të kulturës së saj, krejt këtë me shpresë për të ruajtur të ardhmen e kulturës së tyre. Sidomos kur shumë njerëz duket t’i përdorin kafenetë si një vend për të marrë WiFi për shfletim të vetmuar të internetit - një kthesë ironike e fatit për kulturën e kafenesë! Do të jetë interesante të shihet nëse njohja e UNESCO-s do të ketë ndikim në këtë kënd të sferës publike në këto shtete.

 

Lidhur me këtë, studentët e dizajnit dhe të arkitekturës në Universitetin Kingston në Londër ende po përpiqen të mbrojnë një tjetër sferë publike – barin -  si një vend të trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Siç përvijoi komunikata për shtyp e Universitetit, ky projekt ka përfshirë “ vizitimin dhe dokumentimin e më shumë se 80 bareve gjithandej kryeqytetit”. Çfarëdo që të jenë vlerat e kësaj, kjo duhet të shënohet në histori si një skemë brilante  për të mundësuar pirje akademike. Le të shpresojmë që komiteti i KB-së që është përgjegjës për të gjitha këto raste të “shqyrtojë” për së afërmi këto artefakte kulturore./ theatlantic.