Bashkimi Evropian përqafon ‘kafenë në pritje’

Kohët e vështira ekonomike dhe varfëria në rritje në pjesën më të madhe të Evropës po ringjallin një traditë modeste, që nisi nja njëqind vjet më herët në qytetin Italian të Napolit. Ajo quhet caffe sospeso/kafja në pritje. Një myshteri paguan me paradhënie për një person që s’ka mundësi të paguajë një filxhan kafe.

 

Shkrimtari Napolitan Luciano de Crescenzo e përdori këtë traditë si titull të një prej librave të tij: Caffè sospeso: Saggezza quotidiana in piccoli sorsi (Kafja në pritje: Urtësi ditore në gllënjka)

 

“Kjo ishte një traditë e mrekullueshme,” kujton ai. “Kur një person fatlum hynte në një kafene dhe porosiste një filxhan kafe, ai nuk paguante vetëm një, por dy kafe, duke i mundësuar dikujt me më pak fat që do të vinte më vonë të pinte një kafe falas.”

 

Baristi mbante shënime dhe, kur dikush fuste kokën në derë të kafenesë dhe pyeste “A ka diçka në pritje?’, baristi pohonte me kokë dhe i shërbente atij një filxhan kafe ... falas.

 

Kjo është një mënyrë elegante për të treguar bujari: një akt lëmoshë në të cilin dhuruesi dhe pranuesi kurrë nuk takojnë njëri-tjetrin; dhuruesi nuk e bën këtë sa për sy e faqe, kurse pranuesit nuk i duhet të shfaqë mirënjohje.

 

Shkrimtari thotë që tradita është pjesë e filozofisë jetësore të qytetit. “Më fjalë tjera, kjo ishte një filxhan kafe,” thotë de Crescenzo “e ofruar tërë njerëzimit.” Ishte një kohë, shton ai, kur kishte më shumë myshterinj të varfër sesa të kamur.

 

Është më vend që kjo traditë nisi në Napoli, një qytet që krenohet të ketë kafenë më të mirë në Itali. Dhe në një vend ku kafeneja e parë në Evropë u hap më 1683 (në Venedik), ky s’është një pohim edhe aq i parëndësishëm.

 

Para se të ngjashmit me Gaggia dhe Cimbali të nisnin prodhimin e makinave moderne të espressos, Italianët bënin kafenë në shtëpi me kafe-bërësin e njohur si Napoletana.

 

Napoli dhe kafeja janë të pandashëm, por tradita e “kafes në pritje” venitej ndërsa Italia po hynte në vitet e ndërtimit të pasluftës dhe vitet e La Dolce Vita. Për dekada, kjo traditë kufizohej me kohën e krishtlindjeve.

 

Tash ajo është kthyer. Para dy vitesh, ndërsa kriza në eurozonë po flakëronte, papunësia po rritej dhe bizneset e vogla po mbylleshin për çdo ditë, gjithnjë e më shumë italianë nuk po mundnin më të paguanin pijen kombëtare – një epsresso apo një cappuccino. (Sipas International Coffe Organization, që përfaqëson 44 vende eksportuese të kafesë, konsumimi vjetor për kokë i kafesë ra në 5.6 kg, niveli më i ulët në gjatë vitet e fundit).

 

Pastaj dikujt iu kujtua tradita Napolitane. Kështu, disa organizata joqeveritare u bashkuan dhe – me mbështetjen e krye-bashkiakut të Napolit Luigi de Magistris –10 dhjetori formalisht u shpall “Dita e kafesë në pritje.”

Kjo traditë tash po përhapet edhe në pjesët tjerë të Evropës që janë ndikuar nga kriza.

 

Në Bullgari, vendin më të varfër të BE-së, ku disa persona të dëshpëruar i vunë zjarrin vetes së tyre, më shumë se 150 kafene iu bashkëngjitën një iniciative të modeluar sipas traditës Napolitane të “kafesë në pritje.”

 

Në Spanjën e goditur nga kriza, një i ri nga Barcelona, Gonzalo Sapina, brenda disa javëve nisi një rrjet të quajtur Cafes Pedientes (Kafetë në pritje) dhe promovoi  këtë iniciativë midis kafeneve të shumta.

 

Në Francë, disa kafene tash mbartin logon “cafe en attente” (Kafe në pritje).

 

Bile ka një websajt që përvijon institucionet që i janë bashkëngjitur iniciativës “kafe në pritje” – vendet e përfshira janë nga Britania e Madhe, Irlanda, Hungari deri Australia dhe Kanadaja.

 

Kafja e parapaguar është bërë një simbol i solidaritet shoqëror në kohën e shtimit të varfërisë në ato që deri vonë njiheshin si shoqëritë e pasura Perëndimore./npr.org