Bota në një filxhan çaji

Earl Grey – Angli

 

Një gojëdhënë e popullarizuar thotë se ky çaj i qe rekomanduar mbretëreshës së re Viktoria nga kryeministri atëhershëm i mbretërisë së bashkuar Charles Grey (1764-1845), por hulumtuesit e Oxford English Dictionary i vënë pikëpyetje këtij tregimi, kur ata sfiduan origjinën e këtij termi më 2012.

 

Në vitin 1830, kompanitë e çajit nisën t’u shtonin vaj të bergamotit gjetheve jokualitative të çajit, me qëllim që ta përmirësonin shijen. Ndërsa kjo pije më shije limoni nuk është lëvduar as nga vetë Earl Grey, çaji i zi kinez, që mban emrin e tij, mbetet një përzierje shumë më e pëlqyer.

 

Çaji i mentës – Marok

 

Si simbol i mikpritjes marokene, kjo përgatitje është shumë e thjeshtë: pluhur i çajit të gjelbër dhe gjethe të mentës me shumë sheqer. Çaji i dallueshëm i njohur si atai, zë një vend shumë të rëndësishëm në kulturën e Afrikës Veriore dhe shpesh konsiderohet një formë arti.

 

Gjatë një ceremonie tradicionale të shërbimit, çaji derdhet nga ibriku nga një lartësi prej afro 30 centimetrash apo më shumë për të krijuar shkumën. Në Marok, çaji në përgjithësi u ofrohet mysafirëve nga kreu i familjes dhe refuzimi i tij konsiderohet sjellje e keqe.

 

Assam – Indi


Darxhiling mund të jetë lloji i çajit më i mirënjohur i Indisë, por shteti Assam, disa qindra kilometra në Lindje, është regjioni më i madhi i kultivimit të çajit në botë. Ndryshe nga Darxhiling, bimët Assam rriten në nivel deti, gjë që i kontribuon shijes së fortë dhe ngjyrës së çajit i cili më vonë bëhet prej tyre.

 

Në vend se të zbatojë kohën standarde të Indisë, Assam zbaton “kohën e çajit të kopshtit” ose Bagantime, që është një orë përpara standardit të Indisë, me qëllim që të përfitojë nga lindja e diellit relativisht e hershme në regjion.

 

Rooibos – Afrikë e Jugut


Shpesh i quajtur “çaji bush” apo “çaji i kuq”, për shkak të ngjyrës dalluese që ka, ky lloj së pari u kultivua qindra vjet më herët nga banorët lokal të Afrikës Jugore në regjionin Kederberg. Kur holandezët erdhën në këtë regjion, shumë kolonë nisën të pinin çaj rooibos si një alternativë më e lirë ndaj çajit të shtrenjtë të zi që importohej nga Anglia.

 

Rooibos ka një rritje në shitje në vitet e fundit pasi u ekspozua në serinë No.1 Ladies Detective Agency. Çaji bush po ashtu është i popullarizuar te klientët që kujdesen për shëndetin, për shkak të nivelit të lartë të antioksidantëve që përmban, mungesës së kafeinës dhe veçorive shëruese që supozohet të ketë.

 

Oolong – Kinë

 

Ka shumë teori rreth prejardhjes së çajit Oolong, por ky çaj, mbas gjase, ka zanafillën në Kinë. Si çaji i gjelbër dhe i zi, oolong apo wulong nxirret nga bima Camellia Sinensis. Pasi të vilen gjethet, ato teren dhe qëllimisht dëmtohen, çka rezulton në një çaj gjysmë të fermentuar.

 

Keni shije të shtrenjtë? Një kilogram i çajit Da Hong Pao Ollong mbërrin deri në 30 000 dollarë.

 

Çaji i ëmbël – Amerikë


Çaji i ëmbël ka qenë prej ushqimeve rutinore në jug të Amerikës, por ata që shpresojnë të përvetësojnë origjinën e kësaj përzierje sheqeri (çaji i ëmbël tradicional përmban dyfish më shumë sheqer sesa koka kola) do të jenë të lumtur të dinë se Sumervill në Karolinën e Jugut së voni është njohur si vendlindja e Çajit të Ëmbël.

 

Çaji me gjalpë – Tibet

 

A mund të paramendoni një copë gjalpi në çajin tuaj? Kështu e pinë çajin tibetasit dhe komunitet e tjera në Himalaje. Fermerët e lartësive të mëdha dhe nomadët pinë përgatitjen e pasur, të quajtur po cha, që përbehet nga çaji i zi, kripa, dhe gjalpi, për vlerën kalorike që ka si dhe për të parandaluar çarjen e buzëve.

 

Në Butan, banorët lokal pinë çajin e gjalpi me zow, oriz i kuq i pjekur me sheqer.