Kafenetë e Marokut në fokus të debatit politik

Ora është 9 e ditës në një lagje të klasës punëtore.  Kamerieri  zhduket për disa çaste, pastaj kthehet me katër gazeta të ndryshme. Ai i vendos ato në tavolinë, pastaj ua shpërndan ato myshterinjve dhe vazhdon me punën e vet. Një myshteri  shfleton titujt, pastaj ia pason gazetën personit të ulur pranë tij. Kësisoj pronarët e kafenesë i tërheqin myshterinjtë të cilëve u pëlqejnë sendet pa pagesë.

 

Rezultati: vizituesit e kafeneve mund të lexojnë katër gazeta të ndryshme në cilëndo kohë të ditës. Për më shumë, ata mund të kërkojnë gazeta të ditëve të kaluara. Kafenetë janë bërë arkiv mediesh, ndërsa myshterinjtë mund t’i lexojnë njëherësh artikujt e njëjtë, duke marrë kështu dhe temën për muhabet. Ata krahasojnë titujt kryesor dhe vendosin rënien e secilës gazetë bazuar në atë se kush i sulmon ato dhe kush reklamon në to. Ata i klasifikojnë gazetat në ato me qëllim të mirë dhe ato me qëllime të këqija. Ato me qëllime të këqija publikojnë vetëm lajme të përzgjedhura dhe kështu më shumë mundohen t’i orientojnë lexuesit sesa t’i informojnë ata.

 

Derisa gazeta të mbërrijë në dorën time, fletët e saj janë pothuaj të shpartalluara, çka e bën leximin më pak “intim”. Pëlqej që ta blej gazetën dhe ta hap atë. Nuk më pëlqen të blej gazetën dhe të ma lexojë dikush. Sidoqoftë, këtyre ditëve më shumë po më pëlqejnë gazetat e lira.

 

Po shkruaj për vendin ku gjenerata ime e kalon kohën: kafenenë.  Në kafene, burrat përfitojnë nga izolimi të cilin femrat nuk e kanë në dispozicion. Kur ndonjë prej burrave pranon thirrje telefonike nga bashkëshortja e vet, u thotë shokëve: “Po më kërkon Ministria e Brendshme”.

 

Vlen të përmendet se kamerieri nuk sjell gazeta ne prirje partiake. Të gjitha gazetat që i sjellë ai, pohojnë të jenë të pavarura. Të pavarura nga kush? Të gjitha gazetat mbështesin monarkinë, disa janë kundër qeverisë që në fakt nuk qeveris. Pasi të lexojnë faqen e parë, myshterinjtë kalojnë në faqet e brendshme. Nganjëherë ata gjejnë se titujt e mëdhenj të faqes së parë ofrojnë më shumë sesa përmbajtja brenda. Gazetarët maroken shpesh shkruajnë thuajse flasin në kafene. Ata i bazojnë argumentet e tyre në thashetheme të cilat nuk mund të verifikohen dhe citojnë burime anonime. Kultura orale dominon shkrimin gazetaresk. Mungesa e debatit të vërtetë nuk është vetëm për shkak të censurës, por edhe për shkak të mungesës së profesionalizmit.

 

As islamistët, pasi erdhën në pushtet, nuk kanë qenë në gjendje të ndërtonin një platformë mediale që do t’u shërbente mbrojtjes së interesave të tyre. Ata e mësuan predikimin fetar në xhamia dhe mobilizoheshin mes namazeve të pasdites dhe të mbrëmjes. Por, gjërat kanë ndryshuar. Xhamitë në Marok hapen vetëm për 2 nga 24 orët e ditës. Ky “mësim maroken” synohet të kopjohet edhe në Egjipt dhe Tunizi. Islamistët nuk kanë arritur të bartin në kafene aktivitetet e tyre politike e fetare. Ata humbën xhamitë e nuk i fituan kafenetë. Dhe kafenetë janë më të shumta sesa xhamitë dhe libraritë. Kur kafenetë dhe gazetat të bëhen bashkë, vendoset një “shesh” i cili verifikon sjelljet e politikanëve vazhdimisht. Kur politikanët të mos realizojnë ndonjë arritje të vërtetë politike, ata bëhen objekt talljeje, dhe tallja e shkatërron popullaritetin dhe legjitimitetin politik./es-Safir