Kafja dhe kahwa: Si u bë globale pija e arabëve mistik

Bota arabe ka dhënë shumë mendimtarë dhe shumë shpikje, ndër to të ushqyerit 3 vaktësh, alkoolin dhe kafenë. Kokrra më e mirë e kafesë ende njihet si Arabika, e cila bëri një rrugëtim të gjatë nga mistikët muslimanë, të cilët e ruajtën atë shekuj më parë, deri të zinxhirët e kafeneve që shtrihen në rrugët tona sot.

 

Mendo për kafenë dhe, mbas gjase, do të të shkojë mendja për espresso italiane, café au lait franceze, apo një latte double grande amerikane me kanellë.

 

Ndoshta, ke mësuar në shkollë se Amerika u bë një popull kafe-pirës, për shkak të taksës (akcizës) që Mbreti Xhorxh i vuri çajit? Sot, zinxhirët e kudondodhur të Starbucks, Café Nero dhe Costa hijeshojnë çdo aeroport ndërkombëtar.

 

Kafeja prodhohet në një klimë të nxehtë si ajo e Amerikës Latine, Afrikës sub-sahariane, Vietnamit dhe Indonezisë; dhe mund të të falet, nëse ke menduar se kafja është një produkt i Botës së Re, si duhani dhe çokollata. Tek e fundit, të tria këto u bënë të popullarizuara në Evropë, pak a shumë, në kohën e njëjtë, në shekujt 16 apo 17.

 

Në fakt, kafeja vjen nga zonat kodrinore tMOë vendeve të fundit jugor të Detit të Kuq – Jemeni dhe Etiopia.

 

Ndonëse një pije e bërë nga bima e egër e kafesë duket të ketë qenë pirë së pari nga një çoban legjendar në rrafshnaltën etiopase, kultivimi më i hershëm i kafesë ndodhi në Jemen dhe Jemenasit i dhanë emrin arab kahwa, nga e cila rrjedh fjala jonë “kafe.”

 

Me kahwa fillimisht mendohej në verë, ndërsa mistikët Sufi në Jemen e përdornin kafenë si një ndihmesë, madje dhe për dehje shpirtërore, kur përsëritnin pa pushim emrin e Zotit në praktikat adhuruese të tyre.

 

Nga viti 1414, kafja u bë njohur në Meke dhe, në pjesën e hershme të viteve 1500, u përhap në Egjipt nga porti Jemenas i Mokës (Mocha). Ajo ende identifikohej me Sufitë dhe një mori kafenesh zunë fill në Kajro, përreth universitetit fetar të Ez’herit. Kafenetë, po ashtu, u hapën në Siri, sidomos në qytetin kozmopolit Alepo, pastaj në Stamboll, kryeqytetin e Perandorisë së madhe Osmane, në vitin 1554.

 

Në Meke, Kairo dhe Stamboll pati orvatje për të ndaluar kafenë. Dijetarët fetarë shqyrtonin mundësinë nëse efektet e kafesë ishin të ngjashme me ato të alkoolit, dhe disa arsyetuan që pasimi i kafesë nëpër duar kishte diçka të përbashkët me qarkullimin e bokallit të verës, një pije e ndaluar në Islam.

Kafenetë ishin një institucion i ri, ku burrat takoheshin për të bërë muhabet, për të dëgjuar poetët dhe për të luajtur shah. Ato u bënë vatër e jetës intelektuale dhe mund të shiheshin si një rival i nënkuptuar i xhamive si vendtakime.

 

Disa dijetarë arsyetuan që kafeneja ishte “më e keqe sesa lokali ku pihej vera,” dhe autoritetet vërejtën se këto vende shumë lehtë do të mund të bëheshin çerdhe të agjitimit. Mirëpo, të gjitha orvatjet për ta ndaluar kafenë dështuan, edhe pse dënimi me vdekje u përdor gjatë sundimit të Muradit (1623-40). Dijetarët fetarë përfundimisht arritën konsensusin që kafja, në parim, është e lejuar.

 

Kafja u përhap në Evropë nëpërmjet dy rrugëve – nga Perandoria Osmane, dhe nëpërmjet detit, nga porti origjinal i kafesë në Mocha.

 

 

Edhe Kompanitë angleze, edhe ato holandeze të Indisë Lindore qenë blerësit kryesorë në Mocha në pjesën e hershme të shekullit 17, dhe ngarkesat e tyre silleshin në shtëpi përmes Kepit të Shpresës së Mirë (Afrika e Jugut), që ishte vetëm një fraksion i prodhimit të kafesë jemenase, meqë pjesa tjetër shkonte në veri, në pjesën e mbetur të Lindjes së Mesme.

 

Kafja, po ashtu, mbërriti në Evropë me anë të tregtisë, përmes Mediteranit, dhe u bart nga ushtritë turke ndërsa marshonin përskaj Danubit. Si në Lindjen e Mesme, kafeneja u bë një vend ku burrat bënin muhabet, lexonin, dhe ndanin mendimet e tyre për çështjet e ditës dhe luanin lojëra.

 

Një tjetër ngjashmëri ishte se ata mund të bënin tubime me elemente subversive. Në vitin 1675, Çarlsi II i denoncoi kafenetë si “vende ku të pakënaqurit takohen dhe përhapin të dhëna skandaloze lidhur me sjelljen e Lartmadhërisë së tij dhe të ministrave të tij.”

 

Një shekull më vonë, Procope, kafeneja e famshme parisiene, pati myshterinj të atillë si Marat, Danton dhe Robespierre, të cilët konspiruan së bashku aty gjatë Revolucionit (Francez).

 

Së pari, kafja u shikua me dyshim në Evropë si një pije muslimane, por, rreth vitit 1600, Papa Klementi VIII thuhet të jetë kënaqur aq shumë me një filxhan kafe, saqë tha se do të ishte e gabuar t’u lejohej muslimanëve ta monopolizonin atë, dhe se ajo duhej pagëzuar.

 

Pirja e kafesë në Vjenë thuhet të jetë fuqizuar atëherë kur u thye rrethimi turk i Vjenës më 1683 dhe fitimtarët evropianë zaptuan sasi të mëdha të kafes nga të mposhturit.

 

Ndoshta, për këtë arsye, kafja shërbehet në Vjenë me një gotë ujë, njësoj si filxhanët e vegjël të kafesë së fuqishme turke me fundërrinën e saj të rëndë në Stamboll, Damask apo Kairo. A është kjo një rastësi, apo një huazim kulturor i harruar që moti?

 

Pija që ne e quajmë “kafe turke”, në fakt, është një term i gabuar, pasi Turqia është vetëm një nga vendet ku ajo pihet. Në Greqi, atë e quajnë “kafe greke,” ndonëse Egjiptianët, Libanezët, Sirianët, Palestinezët, Jordanezët dhe të tjerët nuk duket se çajnë kokën shumë për emrin.

 

Por, ka dhe tradita tjera të pirjes në botën arabe. Kafja e cila është vendase në Gjirin Persik, është e hidhët dhe nganjëherë me kardamom dhe me erëza tjera.

 

Ajo shpesh shërbehet pas kalimit të një kohe të konsiderueshme pas ardhjes së mysafirit – shërbimi i ngutur mund të merret si një sugjestion i pasjellshëm i ngutjes – dhe pastaj edhe një herë para largimit.

 

Shpesh ajo vjen pak para apo pas një gote të vogël me çaj të zi e të ëmbël. Rendi me të cilin shërbehen këto dy pije dallon dhe, me sa duket, s’ka ndonjë rëndësi. Ajo që është mbresëlënëse për një vizitor perëndimor është ideja se dy pije krejtësisht të ndryshme shërbehen në një seri aq të shpejtë.

 

Fatkeqësisht, ndërsa kafja ka një shtrirje globale, në Jemen prodhimi ka rënë si pasojë e importeve të lira dhe bimëve rivale si kat-i narkotik.

 

Në vitin 2011, Jemeni eksportoi vetëm 2500 tonë kafe, edhe pse ka përpjekje për të ringjallë kultivimin e kafesë më të mirë në shtëpinë e saj origjinale. Sot, asnjë nga vendet arabe nuk gjendet në listën e prodhuesve të rëndësishëm të botës./BBC