Kafja e zier greke ndikon në jetëgjatësi

Në ishullin e vogël grek Ikaria, njerëzit janë aq të shëndetshëm, saqë jetojnë deri në 90 vjet tri herë më shuam sesa amerikanët, dhe janë shumë të shëndetshëm në pleqërinë e tyre.

 

Ikaria, e emërtuar sipas Ikarusit mitik, i cili fluturoi tepër afër diellit me flatrat e tij të vajosura, është njëra prej “Zonave Blu” në botë – pikave të nxehta, ku sëmundjet që pllakosin botën moderne janë pothuajse të panjohura dhe banorët aty në mënyrë rutinore jetojnë deri në 100 vjet dhe më shumë.

 

Shkencëtarët kanë studiuar ikarianët prej vitesh dhe i kanë identifikuar disa prej shprehive të tyre që i kontribuojnë jetëve të gjata e të shëndosha. Një studim i ri zbulon që kafja e zier e tyre mund të jetë pjesë e formulës së tyre për jetëgjatësi.

 

Në studimin e ri të publikuar në Vascular Medicine, hulumtuesit kardiovaskularë propozuan që një filxhan me kafe të zier greke mban sekretin e jetëve të gjata të banorëve të këtij ishulli. Hulumtuesit nga Universiteti i Shkollës Mjekësore të Athinës hetuan lidhjen mes shprehisë së pirjes së kafesë dhe funksionit endothelial të ikarianëve. Endotheliumi është një shtresë qelizash që përbëjnë damarët e gjakut, e cila ndikohet edhe nga plakja, edhe nga shprehitë jetësore si pirja duhanit.

 

Studimet e vona tashmë kanë sugjeruar që konsumi i moderuar i kafesë mund të zvogëlojë rrezikun e sëmundjeve të zemrës, dhe po ashtu mund të ketë një ndikim pozitiv në disa aspekte të shëndetit endothelial.

 

Hulumtuesit bënë një përzgjedhje kuturu të 142 ikarianëve dhe hetuan shtypjen e tyre të gjakut si dhe të gjitha llojet e kafeve që ata pinin. Ajo çka gjetën është se më shumë se 97% e atyre që morë pjesë në studim konsumonin kafe të zier greke për çdo ditë.

 

Ata që konsumonin kryesisht kafe të zier greke, kishin funksion endothelial më të mirë sesa ata që konsumonin lloje të tjera të kafesë. Madje edhe tek ata me shtypje të lartë të gjakut kafja greke shoqërohej me përmirësim të funksionit endothelial, pa ndikime negative në shtypjen e gjakut.

 

Çka është kafja e zier greke?


Kafja e zier greke, në fakt, është kafe turke. Më herët, në Greqi kafja turke njihej me emrin tourkikos, por tensionet politike me Turqinë, sidomos invadimi turk në Qipro, ashpërsuan marrëdhëniet greko-turke në të gjitha nivelet, kështu që kafja turke u bë “kafe greke.” Megjithëkëtë, receta mbeti e njëjtë.

 

Sipas hulumtuesve, kafja greke është e pasur me polifenole dhe anti-oksidantë, dhe përmban vetëm një sasi të moderuar të kafeinës.