Kafja në Lindjen e Mesme: Mënyra më e mirë për të bërë biznes

Tommy Weir

 

Si një udhëheqës në Lindjen e Mesme, do të ishte me vend që të hiqni orën nga dora për disa çaste dhe të adoptoni adetin e pirjes së një filxhani kafeje të rregullt me shefin tuaj, me punëtorët tuaj, me konsumatorët tuaj, madje dhe me klientët potencial. Dividendi nga kjo praktikë mund të peshojë shumë më shumë sesa humbja e pritshme e kohës.

 

Por, mos e kufizoni idenë e kafesë vetëm me kafe, meqë kjo praktikë përfshin çajin dhe ushqimin. Kjo mund t’ju befasojë ndërsa jemi në mesin e muajit të ramazanit, por ky filxhan me kafe s’do të thotë që duhet të ndodhë në zyre gjatë ditës.

 

Vazhdimisht dëgjoj ish-bashkëvendësit të thonë: “Është e tmerrshme të jesh në Dubai gjatë ramazanit”. Në këtë unë përgjigjem: Ju s’duhet të kuptoni vetëm fenë, por edhe traditat e regjionit. Ramazani është një kohë e shkëlqyer për të praktikuar këtë ide – gjatë syfyrit. Kjo është koha më e mirë e vitit për të vizituar njerëzit.

 

Qysh nga shekulli i 15 dhe provat më të hershme të pirjes së kafesë, praktika e pirjes së kafesë me të tjerët ka qenë pjesë integrale e shoqërisë arabe. Edhe më e rëndësishme se vetë kafja është përhapja e kafeneve dhe rituali ditor.

 

Kafja është mënyrë e jetës. Miqtë mblidhen për orë të tëra me kafe për të diskutuar çështjet e ditës, të shoqërisë, dhe të botës. Kjo rutinë është edhe një relikt kulturor.

 

Një vizitë në cilëndo kafene nëpër botën arabe do të gjejë çdo karrige të zënë me njerëz që rrinë aty për orë të tëra duke pirë kafe, duke ngrënë meze e duke diskutuar çështje të jetës.

 

Në vizitën time të parë në regjion u trondita, kur pashë njerëzit të bënin muhabet, të qeshnin tërë natën, deri në mëngjes. Është e qartë që ky stil i jetës bëhet burimi kryesor i përhapjes së dijes, ku njerëzit debatojnë nxehtësisht  për lajmet, për gjërat si duhet të jenë, dhe kërkojnë mendime mbi çështjet e punës.

 

Ushtrimi i respektit me kafe është një pjesë e rëndësishme e kulturës familjare në Lindjen e Mesme, siç mund të ilustrohet me praktikën e pirjes së kafesë së rregullt (për ditë) me babanë. Në perëndim, mund të duket pune “e mirë” të takosh babanë tënd për kafe kohë pas kohe, por në kulturën arabe është një gjë e ndershme të kalosh pranë shtëpisë së babait për çdo ditë për të pirë kafe; kjo ndodh pa paramendim, sikur të nënkuptohej: përse do të mendoje të bëje diçka tjetër?

Këtu, në Lindjen e Mesme, prija e kafesë ka të bëjë me më shumë sesa vetëm me kafe. Aty nga vij unë, pirja e kafesë shpesh ka të bëjë me kënaqjen me shijen e kafesë (dhe marrjen e kafeinës më së të nevojshme) dhe kalimin e kohës së zakonshme me miqtë. Në Lindjen e Mesme, pirja e kafesë tregon respekt dhe vlerë, dhe, çka është më e rëndësishme, këtu kështu ndërtohet mirëbesimi.

 

Mirëbesimi është kurrizi i shoqërisë arabe dhe monedhë e biznesit. Mirëbesimi nuk ndërtohet me takime të rastësishme apo me biznes zyrtar në zyre; ai ndërtohet, rritet dhe mbahet me kalimin e kohës.

 

Në kulturën e Lindjes së Mesme, një mekanizëm i kësaj është kalimi i kohës duke pirë kafe apo çaj. Aq sa është e vështirë për t’u përshkruar, kjo ka njëfarë marrëdhënie mes kohës dhe mirëbesimit.

 

Pra, t’i kthehemi thelbit të kësaj këshille: rekomandohet që të hiqni orën nga dora apo dhe ta pauzoni kohën në orë e të investoni kohë duke pirë kafe apo duke ngrënë ndonjë vakt për të ndërtuar mirëbesim.

 

Tani për tani, pirja e një filxhani kafeje është çelësi për pothuajse të gjitha marrëdhëniet në botën arabe. Për të pasur sukses në Lindjen e Mesme, është e domosdoshme të kuptosh ndikimin e kohës e jo të kufizosh vetveten me ditë e me kalendar./gulfbusiness