Ode çajit turk

Ti mund të tregosh shumë për një kulturë nga mënyra sesi e bëjnë çajin apo madje dhe nga gotën me të cilën e shërbejnë atë.

 

Në Turqi, çaji përdoret në mënyrë të njëjtë si shtrëngimi i dorës në Amerikë: kur të takosh dikë, qoftë për të mijtën herë, qoftë për herë të parë, e pi një gotë çaj me të. Çaji në Turqi nuk është vetëm pije, ai është një ritual i rrënjosur thellë në

strukturën e jetës së përditshme shoqërore. Për shkak të kësaj, mënyrë sesi përgatitet çaji në Turqi është shumë më e ndryshme nga mënyra e përgatitjes në Amerikë.

 

Te metoda turke nuk ka qese çaji. Çaji bëhet në dy ibrikë (xhygymë) të quajtur çajdenlik. Ibriku i poshtëm, që është më i madh, përdoret për të vluar ujin. Me daljen e avullit nga ky ibrik përgatitet

(zihet) ibriku i epërm, që është plot me çaj të fortë dhe shërben edhe si kapak. Ndryshe nga ibriku tradicional i çajit, çajdenliku mbahet mbi një zjarr të butë pasi që uji të vlojë dhe çaji të

përvëlohet. Kjo sepse çaji në Turqi nuk është punë vetëm e një gote; ai shërbehet pandërprerë gjatë gjithë ditës.

 

Për shkak të kësaj, dizajni i ibrikut u desh të ndryshonte për të ruajtur tempin. Ndërsa në Amerikë një ibrik largohet nga zjarri në çastin që dëgjohet fishkëllima, në Turqi ai vazhdon të zihet dhe paraqet një vatër të lëngshme përreth së cilës mund të nxehen pandërprerë miqtë, mysafirët dhe kalimtarët e rastit. Duke e mbajtur çajin e zier dhe ibrikun e madh plot me ujë që zihet ndaras, çaji asnjëherë nuk zihet së tepërmi, pavarësisht sa qëndron mbi zjarr. Në vend të kësaj, çaji i pa-holluar ruan vazhdimisht forcën e zierjes dhe quhet tavshan kani, që do të thotë “gjak lepuri” dhe përshkruan ngjyrën optimale të çajit të pa-holluar – vetëm duhet t’i shtosh ujë për ta pirë.

 

Nga pikëpamja e dizajnit, është vështirë të mos admirosh ibrikun turk të çajit. I distiluar deri në esencën e funksionit të tij, ibriku i çajit zgjedh shumë probleme njëherësh. Çaji mund të mbahet i nxehtë për orë të tëra, pa e tepruar me zierje. Secili pirës mund të marrë çajin pikërisht ashtu siç e do: të lehtë apo të rëndë. Dhe ngaqë ibrikët janë të ndarë, secili mund të mbushet ndaras, çka garanton rrjedhjen e pandërprerë të çajit përgjatë ditës.

 

Pastaj vjen gota. Tradicionalisht, çaji turk shërbehet në një gotë të vogël xhami në formë tulipani, të quajtur finxhan çaj. Nuk është intuitive: lëngu i vluar dhe xhami në përgjithësi nuk shkojnë bashkë. Por, tejdukshmëria e xhamit e bën të lehtë ta shohësh sa është çaji i fortë apo i lehtë, ndërsa mesi i ngushtë i gotës ofron një udhëzues pamor për proporcionin e qëlluar për gjakun e lepurit. Ndërkohë, fletët e fryra të tulipanit (lulet e kuqe) mundësojnë që xhami i nxehtë të kapet pa problem.

 

Të pish çaj turk është të shohësh sesi ndeshen kultura dhe dizajni. Në Turqi, është e mundshme edhe të lavdërosh dikë, edhe të shash vetëm duke i shërbyer një çaj i cili ose është tepër i fortë, ose tepër i lehtë. Ndërsa mikpritja e skajshme është çështje krenarie në kulturën turke, proporcionet e vogla të gotave të çajit i japin nikoqirit si edhe mysafirit një dalje të lehtë, nëse gjërat bëhen monotone: marrja e një gote çaji në Turqi është një kontakt që zgjat rreth 30 sekonda.

 

Para një viti, kur m’u tha se mund të flitet me orë të tëra për dizajnin e gotës së birrës, në vetvete mendoja se në rastin më të mirë ajo gotë është pedante, në rastin më të keq autistike. Por, isha gabim. Tash mësova se të mësuarit për të menduar për dizajnin është goxha si të mësosh veten të shohësh me rreze X. Befasisht, në vend se të shohësh vetëm detajet sipërfaqësore të objekteve që ke përreth, tani ke superfuqi dhe pas saj një univers të Pse-ve. Kjo do të thotë se mund të bisedosh apo të shkruash një artikull prej 900 faqesh për një gotë çaji. Të mendosh për dizajnin jo vetëm që të jep erudicion për botën ku jeton, por do të thotë se s’do të mërzitesh kurrë më./fastcodesign