Përgatitjet e çajit biznes i madh në Rusi

Shenjë e mikpritjes së vërtetë në Rusi është ofrimi i një çaji. Në fakt, çaji në Rusi daton nga shekulli 17, me carin e parë Romanov Mihail Fjodoroviç si entuziast të çajit kinez.

 

Asokohe, çaji hynte në Rusi përmes “Udhës së Madhe të Çajit” me një shteg që kalonte nëpër Siberi. Mirëpo, për shkak të udhëtimit të gjatë e të vështirë, çajin mund ta paguanin vetëm klasa e lartë, dhe ishte vetëm pas ndërtimit të hekurudhës trans-Siberiane që çaji ishte në dispozicion të secilit.

 

“Në Rusi, njerëzit janë të prirë të pinë çaj ose kafe tërë ditën. Në shumë vende të tjera, si në Angli dhe Itali, kanë një kulturë më të dalluar të kafesë apo çajit”, tha Igor Sverçkov, një specialist i çajit dhe menaxher i produktit në dyqanin e çajit Untsia.

 

Sipas tij, preferenca ndaj kafes apo çajit është e ndikuar nga e kaluara kolonialiste. Meqë Rusia nuk ka pasur ndonjë koloni dhe gjendet mes Kinës dhe Evropës, ata morën më të mirën nga të dy anët: çajin nga Lindja, kafen nga Perëndimi.

 

“Çaji dhe kafja pihen shumë në Rusi. Supermarketet ofrojnë një vistër të gjerë çajesh. Rusët e kanë vështirë të zgjedhin, kur kanë të bëjnë me çajin”, tha Sverçkov. “Njerëzit kanë mundësi të provojnë të gjitha llojet e çajit në vend”.

 

Untsia së pari hapi dyqanin e vet të çajit në St. Petersburg në 2002, duke u zgjeruar më vonë në Moskë. Sot ata kanë më shumë se 100 dyqane gjithandej Rusisë, që ofrojnë lloje të shumta të çajeve nga Kina, Sri Lanka, India, Tajvani, Japonia, Gjermania, Afrika e Jugut, Ruanda, dhe Kenia.

 

Sipas Sverçkov, është vështirë të thuhet se cili lloj i çajit është më i shëndetshëm, sepse ndikimet e çajit dallojnë nga personi në person. Po ashtu, shija e llojit të njëjtë të çajit mund të dallojë varësisht nga java kur vilet; ai tha: “Nëse ka rënë shi para vjeljes, këtë mund ta vëresh në shije”.

 

Mirëpo, shpjegoi Sverçkov, çdo vjelje ka karakteristikat e veta dhe, duke i përzier, shija unike e secilës vjelje humbet. Me qëllim që të shpëtohet shija e secilës vjelje, Untsia nuk përzien çajet që i blen.

 

Si çaj të papërzier, Untsia po ashtu importon çaj të përzier nga Gjermania, që është vendlindja e çajeve të përzier. Disa çaje janë më të mirë për verë sesa disa të tjerë”, tha Sverçkov. “Në Rusi çaji i zi është i popullarizuar gjatë gjithë vitit. Mirëpo, gjatë verës ne shesim më shumë çaj të gjelbër, meqë është më freskues”.

 

Një tjetër mënyrë freskuese e pirjes së çajit është me limon, gjë që, sipas Sverçkov, është mënyra me të cilën Rusia i kontribuoi kulturës moderne të çajit. “Duke bashkuar dy prodhime ekzotike, rusët qenë të parët që pinë çaj me limon”, tha ai./sptimesrussia