Për një eksperiencë moderne të kafesë, Parisi merr mësim nga Amerika

Kafeja është një rekuizitë kryesore e jetës së përditshme në Paris, dhe po aq e qenësishme për kulturën franceze sa një bukë franceze, një gotë verë, apo, së paku sipas amerikanëve, një beretë. Megjithëkëtë, kafja në Francë disi përgjithësisht është e keqe. Kokrrat lihen të ekspozuara, makinat nuk mirëmbahen si duhet, dhe akti i nxjerrjes së një espressoje bëhet pa kurrfarë meraku.

 

Fatmirësisht, në vitet e fundit, një seri e re e kafeneve janë shfaqur në Paris dhe, për çudi, janë goxha amerikane.

 

Në Francë, kafja “është menduar të konsumohet shpejt, shpesh me një gllënjkë,” tha Lindsey Tramuta, një shkrimtar nga Parisi. Ajo përdoret ose për të shtuar përqendrimin, ose për të shpërlarë qiellzën pas ushqimit. Shijes nuk i kushtohet shumë vëmendje, meqë fokusi tradicionalisht ka qenë në ndikimin e saj.”

 

Por, konsumim i kafesë në vend është rritur ngadalë që nga viti 2003. Duke tërhequr ndërkombëtarë dhe një grup specialistësh, kafenetë e reja e trajtojnë kafenë si një art duke i dhënë pijes një vlerësim të thellë, i cili më herët në Francë ka qenë i rezervuar vetëm për verën.

 

“Kur francezët duan kafe, ata thjesht vetëm kërkojnë ‘një kafe,’” shpjegoi Antoine Rouille, një barist në Kooka Boora, një nga pionierët e kësaj lëvizjeje parisiene të kafeneve. “Përtej kësaj nuk ka kërkesa. Ne duhet t’i edukojmë njerëzit për llojin tonë të kafesë, llojin amerikan të kafesë, supozoj.”

 

Në vend të kafesë tipike parisiene, këto kafene të reja janë gati të krijojnë pije komplekse, me kokrra nga burime të caktuara lokale, me makina tepër të sofistikuara, dhe duke e zëvendësuar pretendimin me mjeshtëri. Ndërsa pronarët dhe baristët kanë prejardhje franceze, shumë prej tyre udhëtojnë për në Amerikë për të mësuar këtë zanat.

 

Nicolas Clerc, një francez që ka në posedim Le Télescope së bashku me amerikanin David Flynn, u zhvendos në Brooklyn për të mësuar zanatin e baristit para se të bashkë-themelonte kafenenë. “Kafja është komplekse,” tha ai. “Këtu kemi të bëjmë me mësimin e mjeshtërive.”

 

Le Télescope, e cila u hap para nja një viti dhe tash ka myshterinjtë e vet, nuk gjendet në rrugën kryesore për të tërhequr turistët apo njerëzit e ngathët. Ajo ndryshon plotësisht nga kafeneja tipike franceze, duke kulluar një ndjesi të ngrohtë Bruklinase, një det dritash të bardha dhe dru që i ka dalë boja. Kjo dëshmon që stili është po aq pjesë e lojës sa dhe kafeja e bërë mirë. Përplot drita, dizajn minimal, hapësirë për libra dhe lap-top janë gjërat themelore për kafenetë e reja parisiene. E të mos përmendim dhe baristët që mund të përcjellin një stil kualitativ amerikan.

 

Thomas Hamlett, me prejardhje nga Virgjinia, erdhi në Paris pasi punoi në kafenetë e Seattle. Hamlett është baristi kryesor në kafenenë Sugarplum Cake Shop, një kafene e rehatshme, që shërben kafe dhe ëmbëlsira të stilit amerikan si Rice Krispies Treat dhe torta të mëdha. Me një kapelë skoceze, pak mjekër dhe me theksin çarmatosës të Virgjinisë, Hamlett mishëron sharmin amerikan.

 

Një pjesë e madhe e këtij modeli është shërbimi miqësor, baristët që janë të gatshëm të të bëjnë muhabet dhe të të joshin, çka është krejt e ndryshme nga kamerieri stereotip francez.

 

Me kafenetë si Sugarplum, Le Télescope, Coutume Cafe, Kooka Boora, Le Caféothèque, dhe Loustic, Parisi po përjeton një thirrje për zgjim.

Ende ka vende klasike turistike të domosdoshme për t’u vizituar, si Le Cafe de Flore, vend-dalja e Jean-Paul Sartre, apo Le Select e Hemingwayt. Këto kafene s’janë duke shkuar askund, por, me rritjen e dëshirës për një kafe të shijshme, të përgatitur me merak, dhe interesimit për mjeshtëri, po ashtu po rritet edhe tregu i kafesë me stil amerikan.

 

“Shumë punë bëhet për pjekjen dhe përfundimisht për bërjen e një kafeje të mirë,” tha Hamlett. “Gjithnjë e më shumë sheh këso shembujsh në Paris. Ky është një kthim i kulturës së kafesë, por kësaj here me kafe të mirë.”/NBC