Rrjeti social i viteve 1600

Rrjetet sociale akuzohen si armik i produktivitetit. Sipas një materiali ilustrues të popullarizuar që qarkullon online, përdorimi i Facebook, Twitter dhe i sajteve tjerë të këtillë i kushtojnë ekonomisë amerikane 650 miliardë dollarë çdo vit. Kohëzgjatja e vëmendjes sonë po shkurtohet, rezultatet e testeve tona po bien, dhe krejt kjo për shkak të këtyre “armëve të shkatërrimit masiv”.

 

Edhe më parë janë shfaqur këso shqetësimesh. Në Anglinë e fundit të viteve 1600, u shprehën shqetësime të ngjashme lidhur me një tjetër ambient mediatik, joshja e të cilit dukej të minonte aftësinë e të rinjve për t’u përqendruar në mësimet apo në punën e tyre. Kjo ishte kafeneja apo rrjeti social i asaj kohe.

 

Si vetë kafja, kafenetë ishin një import nga bota arabe. Kafeneja e parë në Angli qe hapur në Oksford, në pjesën e hershme të viteve 1650, pastaj me qindra ndërmarrje të ngjashme shpërthyen në Londër dhe në qytetet tjera vitin vijues. Njerëzit shkonin në kafene jo vetëm për të pirë kafe, por për të lexuar dhe diskutuar pamfletet më të reja, lajmet, dhe për të marrë vesh se çfarë po flitej në popull.

 

Kafenetë, po ashtu, përdoreshin si postë. Klientët vizitonin kafenetë e tyre më të pëlqyera disa herë në ditë për të kontrolluar postën e re, për të dëgjuar ndonjë lajm, për të bërë muhabet me kafepirësit tjerë, miq a të panjohur qofshin. Disa kafene specializonin në diskutimin e temave të veçanta, si në shkencë, politikë, literaturë apo transport. Me qarkullimin e klientëve, qarkullonte dhe informata.

 

Ditari i Samuel Pepys, një zyrtar qeveritar, përmban variacione të frazës “sipas kafenesë”. Shkrimet e tij lënë të kuptohet për një shtrirje të gjerë të temave që diskutoheshin aty. Vetëm ato të nëntorit 1663 përfshijnë referenca ndaj “një diskursi të gjatë e të pasionuar mes dy doktorëve”, ndaj një diskutimi rreth historisë romake, rreth mënyrës së deponimit të birrës, rreth armës së re detare, si dhe afrimit të njëprocesi gjyqësor.

 

Një arsye përse këto muhabete ishin aq të gjalla ishte fakti që dallimet sociale nuk njiheshin brenda mureve të kafeneve. Klientëve jo vetëm që u lejohej, por inkurajoheshin të ndiznin muhabete me të panjohur nga sfera krejtësisht të ndryshme të jetës, siç e renditi poeti Samuel Butler: “Zotërinj, mekanikë, fisnikë, një mishmash njerëzish: të gjithë si një tërësi e vetme”.

 

Por jo secili pajtohej me këtë. Krahas ankimit që kishin të krishterët për braktisjen e birrës tradicionale të tyre në favor të një pijeje të huaj, kritikët shqetësoheshin që kafenetë po i pengonin njerëzit nga puna. Midis të parëve që dhanë alarmin më 1677 ishte Anthony Wood, një akademik i Oksfordit. “Përse ka rënë mësimi serioz dhe vetëm disa apo askush tash s’po ndjek mësimet në Universitet?” pyeti ai. “Përgjigja: Për shkak të kafeneve, ku ata kalojnë tërë kohën e tyre”.

 

Ndërkohë, Roger North, një avokat, vajtonte në Kembrixh “kohën e humbur në një gjë të re. Kush mund të mësojë për ndonjë temë me kokën plot zhurmë kafeneje?” Këto vende ishin “rrënim i shumë zotërinjve e tregtarëve serioz në të cilët shpresohej”, sipas një pamfleti, “shpjegoi (pamfleti) Shqetësimi i Madh i Anglisë”, i publikuar në vitin 1673.

 

Krejt kjo të sjellë ndërmend paralajmërimet serioze të bëra nga shumë komentues. Shkak i përbashkët për shqetësim, si atëherë ashtu dhe tash, është që platformat mediatike paraqesin një rrezik të veçantë për të rinjtë.

 

Por, cili ishte ndikimi i vërtetë i kafeneve në produktivitetin, edukimin dhe kreativitetin? Më parë se armiq të industrisë, kafenetë, në fakt, ishin djep i kreativitetit, për shkak të mënyrës që mundësonte përzierjen njerëzve dhe ideve. Anëtarë të Shoqërisë Mbretërore, që ishte shoqëria pioniere shkencore e Anglisë, shpesh pensionoheshin në kafene për të zgjatur diskutimet e tyre.

 

Shkencëtarët shpesh eksperimentonin dhe mbanin ligjërata në kafene, dhe ngaqë hyrja kushtonte vetëm një peni (çmimi i një filxhan kafeje), kafeneve nganjëherë u referohej si “universitetet peni”. Ishte një argument kafeneje mes disa kolegëve shkencëtarë që nxiti Isak Njutonin të shkruante “Principia Mathematica” e tij, një nga punimet fundamentale të shkencës moderne.

 

Kafenetë ishin platformë të novacioneve në botën e biznesit, po ashtu. Tregtarët i shfrytëzonin kafenetë si vendtakime, çka bënte që të ngriteshin kompani dhe modele të reja biznesi. Një kafene londineze, e quajtur Jonathan’s, ku tregtarët mbanin tavolina të veçanta në të cilat kryenin transaksionet e tyre të biznesit, u shndërrua në një bursë londineze. Kafeneja e Edward Lloyd, një vendtakim i njohur për kapitenët e anijeve, pronarët e anijeve dhe tregtarët u bë një treg i mirënjohur i sigurimeve.

 

Ekonomisti Adam Smith shkroi një pjesë të konsiderueshme të kryeveprës së tij “The Wealth of Nations” në British Coffee House, një vendtakim i popullarizuar për intelektualët skocez, midis të cilëve ai qarkulloi draftet e hershme të librit të tij për diskutim.

 

Padyshim që kishte dhe humbje kohe nëpër kafene, por vlerat e tyre rëndojnë shumë më shumë sesa mangësitë e tyre. Ato ofruan një ambient të gjallë intelektual dhe social, që i dha shtysë novacioneve që formësuan botën moderne. S’është rastësi që kafeja mbetet pije tradicionale e bashkëpunimit dhe e rrjetit sot.

 

Tash, shpirti i kafeneve është rilindur në platformat tona të mediave sociale. Edhe ato, po ashtu, janë të hapura për të gjithë dhe u lejojnë njerëzve nga sferat e ndryshme të jetës të takohen, të debatojnë dhe të ndajnë informata me shokët dhe të panjohurit, duke bërë lidhje dhe ide të reja. Një muhabet i tillë mund të jetë krejtësisht virtual, por kanë një potencial enorm për të sjellë ndryshime në botën reale.

 

Ndonëse disa shefa përbuzin përdorimin e mediave sociale në vend të punës duke e konsideruar atë si “social notworking”, kompani më largpamëse po përqafojnë “enterprise social networks”, që është një version korporativ i Facebook, për të inkurajuar bashkëpunimin, për të zbuluar talente e dije të fshehura midis punëtorëve të tyre, dhe për të ulur përdorimin e emailit. Një studim i publikuar në 2012 nga McKinsey & Company, një firmë konsulente, gjeti që përdorimi i rrjetit social brenda kompanive shtoi produktivitetin e “punëtorëve të dijes” për 20 deri 25 %.

 

Përdorimi i medias sociale në edukim, ndërkaq, mbështetet nga studimet që tregojnë se studentët mësojnë më mirë, kur të bashkëveprojnë me studentë tjerë.

 

Gjithmonë ka periudha të përmirësimit, kur të shfaqen teknologji të reja. Gjatë fazës tranzitore, që mund të zgjasë disa vite, teknologjitë shpesh kritikohen për prishjen e mënyrave ekzistuese në bërjen e gjërave. Por, mësimi i kafeneve tregon që shqetësimet moderne për rreziqet e rrjetit social janë të tepërta. Ky lloj i medias, në fakt, ka një histori të gjatë: Përdorimi i pamfleteve nga Martin Luther në Reformim hedh dritë të re në rolin e mediave sociale në Pranverën Arabe, për shembull, dhe ka paralele mes poemave-thashetheme që qarkullonin në Francën para-revolucionare dhe përdorimit të mikroblogimit në Kinën moderne.

 

Ndërsa përlahemi me çështjet e teknologjive të reja, ka shumë gjëra që mund të mësojmë nga e kaluara. /NYT