Si kafja bashkon botën

Kafja është më shumë se një pije. Për shumë prej nesh, ajo ndërthuret në strukturën e jetës së përditshme. Ajo, po ashtu, na lidh me skajet e largëta të globit.

 

Për shembull, çdo të premte, një kamion afrohet te depoja e Counter Culture Coffe, një shpërndarësi dhe pjekësi të vogël të kafesë në Durham NC, dhe shkarkon një grumbull të rëndë thasësh. Në cilëndo ditë të zakonshme, ai kamion mund të sjellë “10 thasë nga një fermë në el-Salvador; 20 nga një kooperativë në Burundi; dy thasë të një kafeje speciale nga Guatemala,” thotë Kim Elena Ionescu, një nga blerësit e kafesë në Counter Culture Coffee. Ajo udhëton nëpër botë duke vizituar fermat dhe duke vendosur se cilën kokërr do ta blejë kompania.

 

Kafja më e mirë, thotë ajo, vjen nga lartësitë e mëdha mbidetare, por s’mund ta rrisësh atë në vendet ku ngrinë, “kështu që ke nevojë për një përzierje të lartësisë së madhe dhe klimës së nxehtë, gjë që e bën tropikun një vend për ta rritur atë.”

 

Nëpër tërë Amerikën Latine, Afrikën dhe Azinë Juglindore, njerëzit kultivojnë kafenë. Në shumë vende tropikale, sidomos në të varfrat, kafja është shtyllë e ekonomisë; eksporti i kokrrave të gjelbra në nivel global arrin vlerën e 15 miliardë dollarëve në vit.

 

Disa nga këto ferma, thotë Ionescu, janë vende idile, lart në male. Lisat e lartë shpesh u bëjnë hije kaçubave të kafesë. Skenat e këtilla “të kujtojnë vendlindjen e supozuar të kafesë, që është Etiopia,” thotë Ionescu. “Etiopia Jugperëndimore vërtet është e harlisur, ka lartësi të mahnitshme, është e blertë dhe e mjegullt.”

 

Mirëpo, edhe pse ka me miliona ferma të vogla të kafesë, ato nuk prodhojnë shumicën e kafesë në botë. Shumica e kafesë nuk është specialitet i kafes, por thjesht vetëm kafe, kontejner me kafe, apo instant kafe.

 

40% e të gjithë kafesë vjen nga Brazili, dhe një fermë tipike e kafesë në Brazil duket më shumë si një fermë misri në Iowa, thotë Ionescu – “plantacionet e kafesë shtrihen sa të të shohë syri, të pandërprera nga ndonjë pemë.” Kur vjen koha për korrje, në Brazil, makinat e mëdha vihen në punë dhe zhveshin frytin e kafesë me kokrrën e vlefshme brenda saj.

 

Prodhuesi i dytë më i madh në botë është një befasi për shumë njerëz: Vietnami. “Jo shumë njerëz, sidomos atë të specialitetit të kafesë, flasin për Vietnamin,“ thotë Ionescu.

 

Fermerët vietnamez kultivojnë një specie të pemës së kafesë të quajtur Robusta (Emri shkencor është Coffea Conephora). Ajo rritet shpejt dhe prodhon të lashta të mëdha, por kokrra e saj ka shije të hidhët. Shpesh ajo përdoret në përzierje, sidomos në Evropë. Por, prodhuesit në fund të zinxhirit i shmangen asaj dhe mbahen me një specie tjetër – Arabika.

 

Kjo është një ndarje e madhe në biznesin e kafesë. Në njërën anë, kemi kafen si artikull (lëndë të parë); në anën tjetër, kompanitë e vogla si Counter Culture Coffe apo dhe të mëdhatë si Starbucks apo Green Mountain Roasters, të cilët shesin kafe të vjelë dhe të graduar me kujdes, e shesin kafenë si të ishte verë, duke etiketuar vendin nga vjen ajo dhe shijen e saj.

 

Në qendrën e Green Mountain në Watebury, shijuesit marrin nga një gllënjkë të kafesë së sapo përgatitur, pauzojnë pak për t’u thelluar, pastaj secilës mostër i japin një notë dhe flasin rreth asaj çfarë detektojnë gjuhët e tyre - “Çokollatë, pjepër, limon i athët, pjeshkë delikate,” shprehet njëri prej tyre.

 

Kafja e specializuar si kjo përbën njëro pjesë të vogël – me gjasë 10-15% - të tregut global të kafesë.

 

Nganjëherë, këto dy anë të biznesit të kafesë duket të jetojnë në botë të ndryshme. Por, Ionescu i Counter Culture Coffe thotë që nganjëherë këto bëhen bashkë në mënyra të habitshme.

 

“Ajo që më duket interesante është se një pjesë e madhe e kultivuesve të kafesë pinë instant kafe, madje dhe në disa kodrina idile në Amerikën Qendrore,” tregon ajo.

 

Në vend që të pinë kafenë e tyre të kualitetit më të lartë, ata e eksportojnë te njerëzit që paguajnë më shumë për të, siç janë evropianët dhe amerikanët.

 

Lindsey Bolger, drejtor i kafesë në Green Mountain Coffee Roaster, thotë që, nëse mat sasinë e kafesë të konsumuar nga një kafe-pirës, kampionët e botës jetojnë në vendet Nordike. “Varësisht në cilin vend, ata pinë deri në 8 filxhanë kafe në ditë. Në Amerikë, ndoshta jemi duke në 2 apo 2.5 filxhanë kafe në ditë,” thotë ajo.

 

Amerikanët realisht pinin më shumë kafe. Për person, ne pinim pothuaj dy herë më shumë  gjatë luftës së dytë botërore.

 

Njerëzit e ndanin botën e kafesë në prodhues, si Brazili, dhe në vendet konsumuese: Evropën Perëndimore dhe Amerikën Veriore.

 

Bolger thotë që këto linja të qarta po turbullohen. Brazili së shpejti mund t’ia kalojë Amerikës dhe të bëhet vendi konsumues më i madh në botë, thotë ajo, dhe “ne po dëshmojmë për një rritje të madhe në konsumim në regjionet si Azi Juglindore, Kore Jugore, Evropë Lindore, Indi dhe popujt e Gjirit persian.”

 

Përjetimi i kafesë, me sa duket, është më global se kurrë më parë./nhpr

 

Punëtorët ndajnë kokrrat në një depo kafeje në Jirgashiffi, Etiopi.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kafja më e mirë vjen nga lartësitë e mëdha, me një klimë të ngrohtë, si në Huehuetenango, Gutemalë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Një grua i punon me grabujë kokrrat e kafesë që janë duke u terur në një plantacion kafeje në Metagalpa, Nikaragua.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

40% e të gjithë kafesë vjen nga Brazili.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Një indonezian përgatit kafenë nga biçikleta e tij për një punëtor rruge në Xhakarta.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Fermerët mbledhin korrat e kafesë në provincën Junan, Kinë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Fermerët vietnamez kultivojnë një specie të pemës së kafesë të quajtur Robusta. Ajo rritet shpejt dhe prodhon të lashta të mëdha, por kokrra e saj ka shije të hidhët.