Si pirja e kafeinës mund të shpëtojë jetën tënde

Një studim australian zbuloi që shoferët e udhëtimeve të gjata, të cilët pinë pije me kafeinë, si kafja dhe pijet energjike, kanë një rrezik më të vogël të aksidenteve rrugore krahasuar me ata që nuk veprojnë kësisoj. Dhe dallimi këtu nuk është i vogël. Shoferët që konsumojnë kafeinë ulin rrezikun e ndeshjes për 63%.

 

Studimi i ri, i cili tash publikohet në British Medical Jurnal, u ndërmor nga Mark Stevenson, Lisa Sherwood, dhe kolegët e tyre pranë George Institute for Global Health në Sidnej.


Para nisjes së projektit, hulumtuesit këqyrën studimet e mëparshme, që tregojnë për ndikimin pozitiv të kafeinës, përfshirë dhe aftësinë e saj për të shtuar vëmendjen dhe për të parandaluar lëndimin te punëtorët që punojnë me ndërrime, si dhe për të përmirësuar kapacitetin e kryerjes së detyrave. Dhe, vërtet, si një nga simulantët më të popullarizuar në botë, ka shumë të dhëna për aftësinë e kafeinës për të penguar gjumin dhe aktivizuar zgjimin. Njëkohësisht, ndërkaq, kafeina është famëkeqe për ndikimin e dëmshëm që ka, siç është çrregullimi i gjumit dhe ndikimi negativ në disponim.

 

Prej ndikimeve më pak të njohura të kafeinës te shoferët është aftësia e saj për t’i ndihmuar ata të rrinë të zgjuar dhe të përqendruar, sidomos kur vozisin për një kohë të gjatë. Dhe vërtet që shoferët e rrugëve të gjata, si shoferët e kamionëve, s’kanë zgjidhje tjetër përveç të ulen pa lëvizur për periudha të gjata monotone. Dhe po aq i dëmshëm është fakti që cikli i tyre i gjumit dhe ritmi sirkadian (ora biologjike) shpesh çrregullohen krejtësisht.


Duke kërkuar më shumë fakte, Sherwood dhe Stevenson ndërmorën një studim për të hulumtuar përdorimin e pijeve me kafeinë nga një grup i madh i shoferëve që udhëtojnë gjatë. Ata deshën ta përcaktonin ndikimin - nëse kishte ndonjë - që ky simulant i ligjshëm mund të ketë në shpeshtësinë e aksidenteve rrugore.


Kështu, nga dhjetori 2008 deri në maj 2011, hulumtuesit ndërmorën një studim të rastit të kontrollit te shoferët e udhëtimeve të gjata në shtet Australiane të New South Wels dhe Western Australia. Secili pjesëmarrës duhej të voziste një kamion jo më pak se 12 tonësh dhe të përshkonin një largësi prej së paku 200 km. Pjesëmarrësit përfshinë 530 shoferë të udhëtimeve të gjata me mjete komerciale, të cilët kanë qenë përfshirë në ndeshje komunikacioni nga policia, dhe 517 shoferë që nuk kishin pësuar ndeshje gjatë vozitjes në vitin e fundit. Për çudi, pothuaj të gjithë shoferët e rekrutuar qenë burra (99%) dhe një numër i pabarabartë personash mbipeshë apo obes.


Nja katër në dhjetë nga shoferët (43%) përdorën kafe, çaj, tableta të kafeinës, dhe pije energjike në përpjekje për të qëndruar i vëmendshëm. Hulumtuesit gjurmuan shprehitë konsumuese të tyre, përfshirë dhe sasinë e kafeinës të gjendur në secilën pije apo tabletë. Për të thjeshtësuar gjërat, hulumtuesit konvertuan përgjigjet personale në tri nivele të konsumimit: “ulët,” “mesatar,” dhe “të lartë,” (ulët = 200 mg në ditë; mesatar = 200 deri në 400 mg në ditë; dozë e lartë e kafeinës = më shumë se 400 mg në ditë)


Veç kësaj, shkencëtarët përcollën numrat e kilometrave të kaluar, skemat e vozitjes së natës, modelet e fjetjes, dhe pushimet. Ata, po ashtu, morën në konsideratë konsumimin e alkoolit, përdorimin e simulantëve ta paligjshëm, dhe nivelet e ushtrimeve.


Pas llogaritjes së të gjithë faktorëve të përfshirë, të dhënat rezultuese treguan që shoferët që konsumuan substanca me kafeinë për këtë qëllim patën një ulje prej 63% të mundësisë së ndeshjes krahasuar me shoferët që nuk morën substanca me kafeinë. Hulumtuesit nxorën përfundimin se në popullatën e gjerë të shoferëve të udhëtimeve të gjata konsumimi i kafeinës për qëllim të qëndrimit zgjuar gjatë vozitjes ulë në masë të konsiderueshme mundësinë e ndeshjes.


Studimi konkludon:


Ndërsa strategjitë e përgjithshme për menaxhimin e lodhjes për këta shoferë duhet të konsiderojnë pushimet adekuate dhe gjumin e mjaftueshëm si dhe ushtrime e rregullta, përdorimi dhe ndikimi i simulantëve të kafeinuar duhet të konsiderohet si një strategji ndihmëse efektive për të ruajtur vëmendjen gjatë vozitjes.

 

Mirëpo, hulumtuesit tërheqin vëmendjen që efektet stimuluese të kafeinës zgjasin vetëm për një kohë të shkurtër dhe asnjëherë s’duhet të përdorën si zëvendësim për gjumin./io9