Stili juaj i pirjes së kafesë?

Kafja është pija e dytë më e popullarizuar në botë pas ujit, me mbi 2611 miliardë filxhanë kafe të konsumuara në tërë botën për çdo ditë. Brenda kësaj kornize, secili prej nesh ka mënyrën e vet e pirjes së kafenë.

 

Të pish një filxhan kafe të mirë ka të bëjë me më shumë se vetëm qumësht dhe sheqer; nganjëherë kjo përbën një ritual të tërë, të përcjellë nga nëna te bija, nga babai te i biri.

 

Nga zona rurale e Etiopisë, ku besohet të jetë zbuluar kafja, deri te kafenetë barok të Evropës perandorake dhe zyrat rrugore të Tel Avivit, kafja është adoptuar pothuaj në çdo kulturë, duke u infiltruar madje dhe në vendet që shumë e duan çajin, si India dhe Britania e madhe.

 

Shprehitë e kafe-pirjes dallojnë nga vendi në vend, nga kultura në kulturë, në kuptimin e përbërjes së përzierjes, formave të kafesë (instant, e përzier, e pjekur, kapsula), nivelit të pjekjes dhe të bluarjes, dhe metodave të përgatitjes. Secili vend ka preferencat e veta specifike të kafesë, dhe pjesëmarrja ime në pirjes e kafesë në vende të ndryshme më ofron dije më të thellë rreth konsumimit të kafesë në vendet që vizitova.

 

Serbi – E hidhët dhe e fortë


Serbët kanë rënë në dashuri me kafenë. Kafja është pjesë e historisë së tyre. Ata i pinë 3 filxhanë kafe në ditë dhe kafja e preferuar e tyre është e pjekur fort dhe zier në xhezve (stili turk). Ata e pëlqejnë një lloj të posaçëm të kafesë me emrin “Rio Minas”, për shkak të prejardhjes, dhe ajo është e hidhët, me shije të fortë, e bluar imët. Kafja e mëngjesit është një ritual në Serbi; pothuaj çdo familje pi kafenë e zezë para mëngjesit apo çfarëdo gjëje tjetër. Shtëpisë duhet t’i vijë era kafe dhe kafja e përsosur duhet të ketë shkumë të trashë në xhezve. Së voni, serbët e rinj kanë nisur të pinë “kafe të përzier” gjatë paradites, sepse është më e ëmbël, më e butë: 3in1, 2in1 (instant-kafe, sheqer, qumësht pluhur). Megjithëkëtë, kafja e mëngjesit mbetet e zezë, pavarësisht a je i ri apo i vjetër.

 

Rumani – E pjekur dhe e bluar


Si fqinjët e tyre, rumunët po ashtu e duan kafenë të pjekur; më shumë se 80% e konsumimit të kafesë është e pjekur dhe e bluar. Ata pinë mesatarisht 2 filxhanë kafe në ditë, zakonisht një në mëngjes dhe një mbas dite, por jo më vonë se ora 5 mbas dite. Lloji më i preferuar te rumunët është një kafe e hidhët dhe aromatike (Robusta dhe Arabika), e bluar mesatarisht dhe e pjekur. Zakonisht ata i shtojnë sheqer dhe vetëm pak prej tyre i shtojnë qumësht.

 

Si në Serbi, mënyra turke e përgatitjes në xhezve është më e rëndomta në Rumani. Bërja e kafesë në një xhezve, që merr kohë për ta vluar ujin, duke i shtuar kafenë në momentin e duhur dhe duke përkujdesur për të derisa të jetë e gatshme ndërsa kënaqesh me aromën e saj në kuzhinë, krejt kjo përfaqëson një ritual të pëlqyer për shumë rumunë.

 

Poloni – Aromë e veçantë


Teksa i afrohemi Evropës Perëndimore, në Poloni, preferenca për kafenë pothuaj ndahet barabartë mes të bluarës dhe instant kafesë. Ka një mënyrë “polake” të përgatitjes së kafesë, që është thjesht të derdhësh ujin e nxehtë mbi një apo dy lugë kafe në gotë (qoftë instant, qoftë e bluar). Disa polakë i shtojnë qumësht kafesë së tyre. Lloji arabika i kafesë është më i preferuari, për shkak të aromës dhe shijes së rafinuar, më pak të hidhët.

 

India Jugore – Kafja në një kupë të metaltë

 

Në Indinë Jugore, mund të pish një kafe të valë e të ëmbël, por aromatike, në një kupë të vogël të metaltë. Ajo është kryesisht kafe arabika, e përgatitur në një stil tipik indian dhe përmban sasi të mëdha të sheqerit dhe qumështit.

 

Izrael – Uji i nxehtë, gota e vogël

 

Duke u zhvendosur në Lindjen e mesme, një pjesë e konsiderueshme e Izraelitëve preferojnë të pinë instant-kafe në shtëpi, dhe shumë prej tyre dalin ose për ice-cafe, kur koha është shumë e nxehtë, ose për kapuçino dhe latte. Megjithëkëtë, një pjesë e popullatës, kryesisht burra, e duan kafenë e fortë turke në mëngjes, të bluar imët, me shije të hidhët e të fortë.

 

Lidhja mes konsumimit të çajit dhe kafesë

 

Vërejtëm se në vendet ku konsumimi i çajit është i lartë, lloji i preferuar i kafesë është instant, ndoshta për shkak të ngjashmërisë së përgatitjes: vetëm i shton ujë të nxehtë kafesë. Rusët bëjnë pjesë në admiruesit e çajit, me më shumë se 75% e popullsisë që pinë instant-kafe. Ata pinë mesatarisht 2 filxhanë kafe dhe pothuaj dyfishin e kësaj çaj për çdo ditë.

 

Pavarësisht sa të ndryshëm jemi, sa dallojnë historia dhe kultura jonë lokale, dashuria jonë për kafenë s’ka kufij. Kur kemi të bëjmë me kafenë, të gjithë jemi tifozë të mëdhenj. Kafja është një pjesë e rëndësishme e jetës sonë dhe shumica prej nesh kemi shumë momente të paharrueshme që ndërlidhen me kafenë./cnn