Udhëtimi i kafesë: Kafe në Melburn, Australi

Ndërsa qytet i Melburnit zgjohet, përgatiten kafetë e të gjitha formave dhe madhësive për një ditë energjike. Qoftë më qumësht, e zezë dhe e gjatë, kafja e specializuar paraqet një domosdoshmëri për shumicën e Melburnasve.

 

Ajo që është unike në këtë qytet, ku pothuaj asgjë nuk është lirë, është eksperienca që mund ta kesh për më pak se 5 dollarë.

 

“Kafja është eksperienca më e lirë dhe më kuptimplotë,” tha Joshua Tarlo, kampioni i Kanadasë në përgatitjen e kafesë dhe i treti më i miri në botë. Krejt çka ai di e mësoi ndërsa e jetoi skenën vibrante të kafesë së Melburnit për dy vjet.

 

“Me pak edukim, klienti mund të shijojë disa nga kafetë më të shijshme në botë.”

 

Të jesh barist në Melburn do të thotë përgjegjësi. Popullata këtu kërkon kualitet; nga presioni për bërjen e një kafeje të shijshme dhe të prodhuar me etikë për klientin në kafene deri te njohja e zinxhirit të gjatë të njerëzve të përfshirë në bërjen e atij filxhani të kafesë.

 

Tarlo fitoi medaljen e bronzit në Kampionatin Botëror të Përgatitjes WBC. Kjo është një garë shumë e fortë, ku secili vend dërgon kampionin e vet kombëtar për të përgatitur me dorë kafenë më të mirë të mundshme për një panel gjyqtarësh, ndërsa duhet të shpjegojë kokrrën dhe metodën e përgatitjes që ai zgjedh. Ka dy runde – një shërbim i hapur dhe një shërbim i detyrueshëm – dhe gjashtë më të mirët zgjidhen për të hyrë në finale.

 

Gjykimi i kafesë bëhet bazuar në aromë, shije, shijen që ajo lë pas, thatësinë, trupin e lëngut dhe balancimin. Një filxhan i shijshëm me një shërbim të shkëlqyer dhe përshkrim të saktë të shijes e nxjerr fituesin.

 

“Askush nuk fiton me vetëm një filxhan kafe të mirë – është ajo që ti sjell në botën e kafesë për të cilën ne s’kemi dëgjuar më parë,” shpjegoi Tarlo ndërsa po bënte muhabet në Toronto pak para garës. “Kjo ndodh për çdo vjet, kështu që është goxha vështirë ta bësh këtë.”

 

Tarlo, i cili u përqendrua në rëndësinë e përzierjes për të krijuar shijen më të mirë të mundshme, u mund nga vetëm dy garues – Jung Insung i Koresë së Jugut dhe fituesi e medaljes së artë Erin McCarthy i Amerikës.

 

“Si çdonjëri, edhe unë erdha në Melburn me një plan,” u tha ai audiencës dhe panelit të gjyqtarëve në rundën finale. “Por, ai plan u shpërbë në mënyrën më të mirë të mundshme.”

 

Plani i tij ishte të përgatiste Ninety Plus Lycillo, një variacion i kafesë në Panama. Disa ditë para garës, ai provoi një variacion tjetër që i përshtatet profileve të shijes për ta lavdëruar atë që ai solli nga shtëpia, kështu që ai vendosi t’i kombinonte të dyja.

 

Kombinimi i Tarlos me shije citrusi në të ëmbël, me nuance mjalti, agrumeje dhe portokalli ishte një hit.

 

Këtu kafeja s’është vetëm për energji, por është për njohjen e vlerës së kokrrës, vendit nga vjen ajo, dhe si piqet e përgatitet.

 

“Kafja është e rëndësishme për të njëjtën arsye që ushqimi është i rëndësishëm,” tha Tarlo. “Ne e konsumojmë atë për çdo ditë, kështu që çfarë kuptimi do të kishte sikur të mos ishte e shijshme?” /huffingtonpost.