Varësia nga kafja: a pinë njerëzit tepër kafeinë?

Ibriku gurgullues, aroma nga filxhani, gllënjka e parë e hidhur e mëngjesit.

 

Ky është një ritual pa të cilin dita e punës për miliona njerëz do të ishte sinqerisht e tmerrshme.

 

Kafeina, sipas New Scientist, është preparati më i popullarizuar psikoaktiv në planet. Vetëm në Amerikë, më shumë se 90 % e të rriturve e përdorin për çdo ditë.

 

Por, tash, bile dhe në Amerikë – shtëpinë e Coca-Cola dhe Starbucks –, po shqyrtohet ndikimi i shtimit të kafeinës në produktet ushqimore të përditshme.

 

Në një deklaratë, Food and Drug Administration, theksoi shembullin e sakëzave Wrigley, ku një paketim i tij përmban po aq kafeinë sa një filxhan kafe. Agjencia, po ashtu, po shqyrton pijet energjike me shumë kafeinë. Sipas US Mental Health Service Administration numri i njerëzve që kanë kërkuar trajtim mjekësor pas pijeve energjike është dyfishuar në vitin 2011.

 

Ka pasur raste të dokumentuara të mbidozës fatale të shkaktuar nga toksiciteti i kafeinës, ndonëse janë shumë të rralla. Por, nuk ka kurrfarë lloji konsensusi shkencor që kafeina është e dëmshme. Një studim i vonë i bërë nga Harvard School of Public Health sugjeroi që “pirja e kafesë nuk ka ndonjë ndikim të dëmshëm serioz në shëndetin,” dhe se pirja e deri gjashtë filxhanëve kafe në ditë nuk “shoqërohej me shtim të rrezikut nga vdekja prej çfarëdo shkaku.”

 

Në sasi jo të tepërt, kafeina mund të ketë ndikim pozitiv. Studimi sugjeron që ajo mund të shoqërohet me ulje të rrezikut nga kanceri i prostatës dhe i gjirit. Një studim i vonë lidhi pirjen e kafesë dhe të çajit me uljen e rrezikut nga lloji i dytë i diabetit.

 

“Shumë njerëz as që janë të vetëdijshëm sa shumë kafeinë marrin,” thotë Lynn Goldman, dekani i Shchool of Public Health pranë George Washington University. Si pasojë, jo qëllimisht njerëzit mund të kenë probleme me pagjumësinë, tretjen, apo shtypjen e gjakut.

 

Të sfidosh hegjemoninë e kafesë sot mund të paraqesë një detyrë të rëndë për një planet që konsumon 120 000 tonë të kësaj substance në vit.

 

Në Finlandë, vendit më të kafeinuar në botë, i rrituri i rëndomtë konsumon 400 mg për çdo ditë, që i bie nja katër apo pesë filxhanë kafe në ditë apo maksimumi ditor i lejuar nga UK Food Standards Agency.

 

“Mendojmë që, kur të përdoret arsyeshëm, kafeina nuk paraqet rrezik,” thotë Sanna Kiuru, nga autoriteti finlandez i ushqimit. “Kryesisht të rriturit pinë kafe, jo fëmijët. Për ne këto nivele janë mesatare.”

 

Për shumicën e konsumuesve të kafesë, dobia kryesore e saj është se, nëpërmjet stimulimit të përqendrimit, të ndihmon të bësh më shumë. Ky është një tipar që e bën atë të pazakontë në mesin e substancave rekreacionale, thotë Stephen Braun, autor i Buzz: The Science and Lore of Alcohol and Caffeine.

 

Kafe-pirësit më të mëdhenj për kokë banori

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

“Ajo që e bën të dallueshme nga drogat tjera është se ajo përdoret si një mjet produktiviteti, jo për kënaqësi, si kanabisi; apo si relaksues, si alkooli.”

 

Ndoshta, krahasimi më i përafërt është me gjethet e Kokës, që përtypen nga punëtorët për t’u marrë ekstra energji në vendet si Peru dhe Bolivi.

 

Shumë nga mendjet kreative të historisë identifikohen me përdorim epik të kafeinës.

 

Sipas një biografi, novelisti dhe dramaturgu francez Balzak pinte deri në 50 filxhanë kafe në ditë. “Po të mos ishte kafja, njeriu s’do të mund të shkruante, që do të thotë se s’do të mund të jetonte,” tha ai në një rast.

 

Për shtatë vjet, regjisori i filmave David Lynch hëngri drekën në restorantin e njëjtë në Los Angeles duke pirë deri në shtatë filxhanë kafe “me shumë sheqer,” gjë që ai thoshte se i garanton arritjen e “shumë ideve.”

 

Ludwig Van Bethoven thuhet të ketë numëruara saktësisht 60 kokrra kafeje për filxhan, kur e përgatiste kafenë.

 

Ndoshta, ndër tregimet e vona më të njohura të përdorimit të kafeinës me tepri është ai i këngëtarit Robbie Williams, i cili, siç raportohet, konsumonte 36 double-espresso dhe 20 kanaqe Red-Bull në ditë.

 

Është edhe puna e rutinës po aq sa edhe veçoritë stimuluese të kafeinës që e bëjnë procesin aq të rëndësishëm, thotë Mason Currey, autor i Daily Rituals: How Artist Work.

 

“Shumë artistë përdorin procesin e kafe-bërjes si një kalim deri te

procesi kreativ,” shton ai. “Ju duhet të jeni në kornizën e duhur mendore për të bërë këtë lloj pune, kurse rituali i përgatitjes ofron përqendrim.”

 

Problemi me rregullimin e kësaj substance, thotë Braun, është se në secilin ndikon ndryshe, çka pamundëson përcaktimin e një kufiri “të sigurt” që vlen për secilin.

 

“Përfundimisht, ti duhet të jesh shkencëtar i vetvetes – nuk ka alternativë për vetë-eksperimentim të kujdesshëm,” thotë ai.

 

Por, kritikët thonë që kjo nuk vlen për pijet energjike dhe ushqimin e kafeinuar, efekti i të cilave është më vështirë të vlerësohet. Sado fitimprurëse të jenë këto produkte, vëren Currey, ato s’do të mund të arrijnë mistikën e kafesë dhe të çajit./BBC