Legjenda thotë se, gjatë udhëtimit të tij për në Etiopi, mistiku jemenas Ebu el-Hasan vërejti një gjallëri magjepse të zogjve. Pasi i provoi edhe vetë kokrrat më të cilat ushqeheshin zogjtë, ai përjetoi vrullin e njëjtë. Kur lajmi mori dhen, kafja nisi udhëtimin madhështor të saj nëpër botë. Nga Jemeni së shpejti u përhap në Mekë e në Medine, aty ku u ngjizën tiparet më të qenësishme të njerëzisë – mikpritja dhe shoqërimi. Nga bota muslimane, kafja u përhap në Itali e pastaj në pjesën e mbetur të Evropës, në Indonezi e në Amerikë. Kudo që mbërriti, kafja vetëm se i shtoi hirit të mikpritjes vendëse, duke u shkri në muhabetin shoqërues krahas ëmbëlsirave dhe ushqimit tradicional. Pa kaluar shumë kohë, bashkëjetesa mes kafesë dhe shoqërimit i dha jetë kafenesë. Në të gjetën prehje padronë e shërbëtorë, të zinj e të bardhë, pleq e të rinj. Ajo doli të jetë një pjesë e humbur e çdo shpirti shoqërues, e bërë bashkë për të mos u ndarë kurrë më nga ai. Në Evropë, mu sikurse çiftat e tyre të Lindjes së Mesme, njerëzit nuk takoheshin në kafene për të pirë e për të kënduar, por për të shkëmbyer ide, për të diskutuar poezinë, filozofinë e politikën. Në secilin vend, kafeneja u bë vendtakimi për intelektualë, shkrimtarë e publicistë. Në Paris, kafeneja Cafe de Flore shpesh e vizitonin Apollinaire, Giacometi, Hemingway, Picasso e Jean-Paul Sartre. Kafeneja më e vjetër në Paris Cafe Procope frekuentohej nga Voltaire, Benjamin Franklin e Thomas Jefferson. Në Romë, në vizitorët e kafenesë Caffe Greco, afër Shkallëve Spanjolle, përfshiheshin Goethe, Wagner, Mendelssohn, Stendhal e Liszt. Shkrimtarë e artistë shpesh shijonin atmosferën artistike të kafenesë Cafe Hawelka në Vjenë. Kafeneja sotshme e vazhdon traditën e vendosur nga kafeneja e kaluar. Kështu, mbas shtëpisë dhe vendit të punës, kafeneja u bë vendi i tretë më i pëlqyer për shumë njerëz. Varësisht nga vendi dhe regjioni, u adoptuan variacione të kësaj tradite. Këtë traditë të “vendit të tretë” në Kosovë e trashëgojnë edhe Isa, Besimi e Dritoni pranë Ma Belle Coffe & Cake House, që nga frëngjishtja i bie të jetë e Bukura ime. Me gërshetimin e finesës së Isës në bërjen e ëmbëlsirave, ndjesisë së Besimit për kafe cilësore e mikpritje, dhe prezantimin e frymës së miqësisë ekzotike nga Dritoni, tani po të ofrohet mundësia edhe ty që të jesh pjesë e këtij udhëtimi historik.